Krap i Pjekur nga Shën Naumi

Liqeni i Ohrit nuk njihet vetëm për koranin e shijshëm, por edhe për krapin.

Në qytetet dhe fshatrat përreth gjen receta të pafundme ku përbërësi kryesor është pikërisht peshku krap.

Një prej tyre AgroWeb.org e sjell për ju sot në mënyrë që të mund ta shijoni me familjarët tuaj.

Kjo recetë i përket faktikisht zonave përreth Shën Naumit, manastirit të famshëm.

Gjithsesi përgatitet pothuaj kudo ku ky peshk rritet.

AgroWeb.org ju tregon mënyrën më të thjeshtë dhe të shpejtë për gatimin e tij.

Përbërësit

  • 1.5 kg krap
  • 4 karota mesatare
  • 3 qepë të thata
  • 1-2 limona
  • Majdanoz
  • 1 bohçe hudhër
  • 200ml verë të bardhë
  • 100ml salcë domatesh
  • Vaj ulliri
  • Kripë
  • Pipër të zi
  • Pipër të kuq
  • Spec djegës
  • Borzilok
  • Trumzë

Përgatitja

Në një tas të madh qëroni dhe prisni në rrathë të hollë karotat, e më pas grini hollë qepët.

Marinojini perimet me pak vaj dhe erëzat e përmendura tek lista e përbërësve.

Ndërkohë keni lyer me vaj ulliri një tavë. AgroWeb.org ju këshillon që me salcën të krijoni një shtresë të hollë në fund të tavës.

Më pas shtoni edhe verën.

Peshkun duhet ta keni pastruar mirë si nga luspat ashtu edhe nga të brendshmet, e më pas ta keni shpëlarë mirë me ujë të bollshëm.

I pari që do të vendosni në tavë është pikërisht krapi.

Bëni disa prerje të vogla përgjatë peshkut, ndërkohë që brenda tij vendosni fetat e limonit dhe thelpinjtë e hudhrës.

Spërkateni sipërfaqen e peshkut me majdanoz, piper të zi, borzilok dhe trumzë.

Më pas e kanë radhën perimet që ndërkohë janë marinuar.

Mundohuni që t’i shtroni ato rreth e rrotull peshkut, kështu lagështira e tyre do t’i japë aromën fantastike krapit.

Në një tigan ngrohni 100ml vaj dhe hidheni të nxehtë mbi peshkun dhe perimet.

Futeni tavën për t’u pjekur në furrë të ngrohur më parë me 200gradë, dhe lëreni për një orë.

Kur koha të ketë kaluar, AgroWeb.org ju sugjeron që të ktheni peshkun nga ana tjetër.

Tregoni kujdes që mos të copëtoni mishin e peshkut.

Pasi peshku të jetë pjekur mjafton ta lejoni që të ftohet pak dhe ta shërbeni duke e shoqëruar me sallata të freskëta.

SHARE