SERBËT VAZHDOJNË TË JAPIN DORËHEQJE

Zyrtarët serbë në veri të Kosovës më 7 nëntor kanë vazhduar të paraqesin dorëheqjet e tyre në institucionet e Kosovës, në shenjë pakënaqësie për planin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa serbe. Dhjetë deputetët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – kanë dorëzuar të hënën dorëheqjet e tyre në Kuvendin e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, Ilir Kërçeli, shef i kabinetit të kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca. “Në mëngjes jam informuar nga administrata që deputetët serbë i kanë dorëzuar mandatet – letrat e dorëheqjes”, tha shkurt Kërçeli. Edhe gjyqtarët serbë dhe punëtorët administrativë në Mitrovicë të Veriut kanë dhënë dorëheqje. Në gjykatën në këtë qytet ishin gjithsej 19 gjyqtarë serbë. Sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë, në gjykatën në Mitrovicë të Veriut, një pjesë e stafit të administratës kundërshtoi të dorëhiqet, duke thënë se ata “nuk pyeten për asgjë” dhe se “po na thuhet se çfarë të bëjmë”.

SHARE