Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, ka bërë të ditur se në seancën e sotme të Këshillit të Mbrojtjes dhe Sigurisë ka propozuar ndryshimin e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare lidhur me ndikimin politik të krimit të organizuar dhe shpalljen e karteleve transnacionale të trafikut të drogës si organizata terroriste.
“Sot, në seancën e Këshillit të Mbrojtjes dhe Sigurisë, i propozova presidentit Jakov Millatoviq dhe kryeministrit Millojko Spajiq një amendament në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare në lidhje me ndikimin politik të krimit të organizuar dhe shpalljen e karteleve transnacionale të trafikut të drogës si organizata terroriste”, thotë Mandiq.
Siç thotë ai, duke marrë parasysh rreziqet dhe kërcënimet e sigurisë, si dhe ndikimin e fortë të strukturave të krimit të organizuar transnacional në institucionet shtetërore, shpreha qëndrimin se është e nevojshme të miratohet një ligj i posaçëm për luftimin e terrorizmit sa më shpejt të jetë e mundur.
Ky ligj do të krijonte armë të reja ligjore dhe do të forconte kapacitetet e autoriteteve shtetërore në luftën kundër terrorizmit, si dhe do të mundësonte zbatimin e politikave të rëndësishme publike dhe do të eliminonte pengesat në zbatimin e detyrimeve tona sipas kapitujve 23 dhe 24 të negociatave me BE-në.
“Në hartimin e këtij ligji, komuniteti ynë profesional, ekspertët eminentë të çështjeve të sigurisë, si dhe përfaqësuesit e qytetarëve, do të udhëhiqen nga praktikat dhe përvojat më të mira ndërkombëtare, ku posaçërisht theksojmë SHBA-në, me organet kompetente shtetërore dhe agjencitë e sigurisë së të cilave duhet të vendoset bashkëpunim i drejtpërdrejtë në këtë fushë”, tha Mandiq.
„Anëtarët e Këshillit e mirëpritën fuqishëm këtë iniciativë dhe së bashku kemi vendosur që në seancën e ardhshme, e cila do të mbahet shumë shpejt, t’i kushtojmë vëmendje të veçantë. Gjithashtu do ta shfrytëzojmë periudhën në vijim për ta diskutuar këtë iniciativë në radhë të parë me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara”, theksoi ai.