Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministri i Administratës Publike Marash Dukaj tha se ata janë duke e monitoruar me kujdes situatën e re në komunën e Budvës dhe detyrë e organeve kompetente është që t’i vërtetojnë të gjitha faktet dhe të kontrollojnë nëse ka pasur shkelje të ligjit.
Siç theksoi ai, Ministria e Administratës Publike do t’i përdorë kompetencat e saj gjithmonë dhe vetëm në një mënyrë për të siguruar sundimin e ligjit dhe realizimin e interesave të qytetarëve në secilën komunë.
“Si ministër kam të drejtë të vlerësoj se klima nga niveli shtetëror, me mungesë të stabilitetit të plotë politik, është bartur në pushtetin vendor dhe se jemi të detyruar të ndalojmë trendin e destabilitetit dhe rrëmujës përmes institucioneve demokratike. Prandaj subjekti politik nga i cili vij unë avokon që urgjentisht të miratohet ligji i ri për vetëqeverisjen lokale që tashmë Ministria e Administratës Publike e ka përgatitur”, ka thënë Dukaj në rrjetin X.
Kjo, shton ai, është edhe një ftesë për Kuvendin e Malit të Zi që të pranojë iniciativën që të gjitha zgjedhjet lokale të mbahen në një ditë me zgjedhjen e menjëhershme të kryetarit.
„Është koha që me vepër të dëshmohet se sundimi i ligjit në komuna është para interesave individuale politike”, ka theksuar Dukaj.