Ministri i Punëve të Brendshme, Filip Axhiq, ka takuar sot në Bruksel raportuesin e Parlamentit Evropian për Malin e Zi, Tonino Picula, thuhet në komunikatën e MPB-së. Siç theksohet në komunikatën për shtyp, gjatë bisedës, Picula tha se kriza në Ukrainë ka ripërtërirë interesin e konsiderueshëm brenda BE-së për zgjerim të mëtejshëm dhe se Mali i Zi duhet ta shfrytëzojë vitin e ardhshëm për të intensifikuar aktivitetet reformuese drejt anëtarësimit në BE sa më shpejt të jetë e mundur. Picula vlerësoi edhe vizitën e ministrit Axhiq në Ukrainë, me të cilën ai tregoi se Mali i Zi zyrtar trashëgon vlerat e BE-së dhe ndjek politikat e BE-së. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, takimi ishte edhe një mundësi për të diskutuar për situatën aktuale politike në Mal të Zi, ku bashkëbiseduesit u pajtuan se Mali i Zi është lider për sa i përket integrimeve evropiane, por se problemet e zhbllokimit të institucioneve duhet të zgjidhen me një qasje e përgjegjshme dhe se mbështetja e BE-së për Malin e Zi është e padiskutueshme. Picula iu referua rekomandimeve të Parlamentit Evropian, nga të cilat, siç tha ai, shihet se Mali i Zi dhe qytetarët e tij duhet të ndjejnë përfitimet e anëtarësimit edhe para se të anëtarësohen në BE. Axhiq theksoi se Qeveria e Malit të Zi është e gatshme të bëjë kompromise për të përshpejtuar rrugën evropiane, por nuk është e gatshme të bëjë kompromis me krimin. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, Axhiq falënderoi për mbështetjen që Picula vazhdimisht i jep Malit të Zi në rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian dhe shprehu pritshmëritë që ajo të jetë edhe më intensive në të ardhmen.