VJOSA OSMANI DO TË JETË USHTRUESE E DETYRËS SË PRESIDENTIT

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë zyrtarisht pozitën e ushtrueses së detyrës së presidentit, pas dorëheqjes së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, pasi ndaj tij u konfirmuar aktakuza nga ana e Gjykatës Speciale në Hagë.

Përmes një njoftimi nga presidenca thuhet se ceremonia e pranim- dorëzimit është bërë në prezencën e stafit të Presidencës dhe kryetares së Kuvendit të Kosovës.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, nenit 90, në rast se Presidenti i Republikës së Kosovës përkohësisht nuk është i aftë për të përmbushur përgjegjësitë e tij, ai mund t’ia kalojë vullnetarisht detyrat e postit të tij Kryetarit të Kuvendit, i cili do të jetë ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës.

Sipas Kushtetutës, posti i ushtruesit të detyrës së Presidentit, nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj.

Urdhri i Presidentit për kalimin e përgjegjësive duhet të përmbajë veçanërisht arsyet dhe kohëzgjatjen e kalimit të përgjegjësive, nëse ka njohuri për to. Kushtetuta parasheh se presidenti i Republikës së Kosovës do të rifillojë ushtrimin e përgjegjësive kur të jetë në gjendje t’i ushtrojë përgjegjësitë, dhe kështu Kryetarit të Kuvendit i pushon posti i ushtruesit të detyrës së presidentit.

SHARE