KËTË VIT, EKONOMIA E MALIT TË ZI DO TË RRITET MË SË SHUMTI NË BALLKANIN PERËNDIMOR

Banka Botërore parashikon një rritje ekonomike prej 6.9 për qind për Malin e Zi këtë vit, që është rritja më e lartë e pritshme në Ballkanin Perëndimor. Për vitin e ardhshëm rritja e pritshme është 3.4 për qind, menjëherë pas Kosovës. Sipas vlerësimeve të mëparshme të BB-së, ekonomia e Malit të Zi duhej të rritej me 3,6 për qind këtë vit dhe 4,7 për qind në vitin e ardhshëm. Kjo do të thotë se parashikimi për Malin e Zi, në raportin e fundit të tetorit që i referohet rajonit të Evropës dhe Azisë Qendrore, për këtë vit është përmirësuar për 3.3 për qind, ndërsa për vitin e ardhshëm është më i dobët për 1.3 për qind. “Ndërsa është ende duke u rikuperuar nga pandemia, Mali i Zi po përballet me tronditje të reja. Rritja vlerësohet në 6.9 për qind këtë vit, e udhëhequr nga konsumi privat”, thuhet në raportin e Mina-business. Inflacioni thuhet se është rritur në nivele të reja, por ndikimi i tij negativ në koston e jetesës është zbutur kryesisht nga një rritje në të ardhurat reale të disponueshme.

SHARE