Ish-Miss Ukraina, Veronika Didusenko falënderon popullin e Kosovës për mbështetjen – rrëfen momentet e tmerrit nga lufta

Forcat ruse më 24 shkurt nisën pushtimin e Ukrainës.

Që nga ajo kohë, është raportuar për mijëra persona të vrarë, në mesin e të cilëve edhe shumë civilë të pafajshëm.

Përveç viktimave, infrastruktura urbane në qytetet ukrainase ka pësuar dëme jashtëzakonisht të mëdha, nga luftimet e ashpra të cilat po zhvillohen çdo ditë.

Foto: Getty Images

E natyrisht se ata që më së shumti e kanë vuajtur dhe po e vuajnë luftën janë civilët, të cilët papritmas mëngjesin e 24 shkurtit u zgjuan nga zhurmat e sirenave, bombardimeve e krismave të armëve.

Në mesin e tyre përfshihen edhe shumë fytyra publike të Ukrainës, që njihen edhe ndërkombëtarisht.

Njëra prej tyre tashmë është edhe “Miss Ukraina 2018”, Veronika Didusenko.

Ajo në një intervistë ekskluzive për Telegrafin ka rrëfyer momentet e para të agresionit rus në popullin ukrainas, arratisjen nga vendi së bashku me djalin e saj, shtatë vjeçar si dhe gjendjen aktuale në vend.

Modelja e famshme ukrainase beson që kjo luftë do të përfundojë me fitoren e Ukrainës dhe se shpreson që ‘kriminelët’ të dënohen.

Didusenko në këtë intervistë flet edhe për mbështetjen e kosovarëve dhënë popullit ukrainas, për të cilën thotë se është shumë mirënjohëse dhe se e njëjta luan një rol të rëndësishëm në atë se çfarë drejtimi do të marrë qytetërimi njerëzor dhe e ardhmja, përfshirë edhe ajo e Kosovës.

Telegrafi: Kanë kaluar më shumë se një muaj që kur ka nisur agresioni rus në Ukrainë, mund të na tregosh më shumë se ku ishit në ato momente dhe si e keni kuptuar lajmin?

Veronika Didiusenko: Më 24 shkurt, unë dhe djali im shtatë vjeçar u zgjuam nga sirenat dhe shpërthimet. Kievi, një qytet me më shumë se tre milionë banorë, i cili ishte në gjumë, pa asnjë shpallje zyrtare të luftës, pa asnjë shpresë që banorët e tij të strehoheshin, u godit nga një bombë e armikut. Në mes të bastisjeve, ne, së bashku me dhjetëra mijëra familje të tjera, u përpoqëm të dilnim nga qyteti. Mijëra makina formuan një bllokim trafiku në autostradë në dalje nga Kievi për shumë orë. Direkt mbi kokën time, dhjetëra helikopterë rusë me trupa po bombardonin aeroportin Gostomel në përpjekjet e tyre për ta marrë atë.

Telegrafi: Është raportuar se keni ikur së bashkë me djalin tuaj, si u larguat nga Ukraina, me çfarë keni udhëtuar?

Veronika Didusenko: Unë u largova nga apartamenti im në Kiev me djalin tim dhe macen tone, Sheila. Na u deshën dy ditë për të arritur në kufirin e Ukrainës me Moldavinë. Nga Moldavia së bashku me djalin tim shkuam në Rumani për të udhëtuar më pas në Evropë. Fatkeqësisht djalit tim iu refuzua viza amerikane dhe tani jam me të në Zvicër. Në konferencën për shtyp në Los Angeles më 8 mars, pjesë e së cilës isha unë, Gloria Allred, avokatja e famshme mbarëbotërore i bëri thirrje administratës së Joe Biden të lëshonte “lirim me kusht humanitar” për ukrainasit, gjë që do t’i lejonte ata të hyjnë dhe të qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara pas kontrollimit, pa vizë, për shkak të kësaj krize urgjente humanitare.

Telegrafi: Si është gjendja aktuale në Ukrainë, keni ndonjë të afërm atje?

Veronika Didusenko: Nëna, babai dhe gjyshja ime qëndruan në Ukrainë. Ukrainasit janë të bashkuar si kurrë më parë. Të gjithë po përpiqen të ndihmojnë për të mbrojtur vendin, sido që ata munden, për lirinë dhe demokracinë. Pasi mburreshin se mund të pushtonin Kyivin brenda pak orësh, rusët u detyruan të tërhiqeshin me turp nga rajoni i Kievit duke pësuar humbje të mëdha. Ajo që po del nga qytetet e çliruara është e vështirë për t’u kuptuar. Në qytetet dikur të bukura, kufomat e civilëve të vrarë janë shtrirë në rrugë, disa me duar të lidhura. Rusët lanë pas varre masive, gra të dhunuara dhe fëmijë të traumatizuar. Një mizori e tillë është përtej të kuptuarit tim. Është një makth. Familja ime qëndroi në Kyiv. Babai im është gati të mbrojë Kyivin në radhët e njësisë së mbrojtjes territoriale në rast të një kërcënimi të ri për qytetin. Nëna ime është e gatshme të ndihmojë si infermiere.

Telegrafi: Si e përshkruani pushtimin rus të Ukrainës?

Veronika Didusenko: Ata janë barbarë. Ata vijnë këtu dhe habiten që njerëzit këtu jetojnë kaq mirë, njerëzit të cilët erdhën për t’i “shpëtuar” dhe “kuruar nga nazizmi” – ata shohin se standardi i jetesës në Ukrainë është thjesht shumë herë më i mirë. Kështu ata filluan të plaçkitin – kishte qindra makina me plaçkë nga periferitë e Kyivit. Ata merrnin gjithçka, nga qilimat dhe lavatriçet e deri te lodrat dhe lugët e fëmijëve. Ata e sjellin atë në Bjellorusi, e cila është pika e grumbullimit për ta dhe ua dërgojnë plaçkën familjeve me shërbimin e dërgesës së shpejtë. Jemi thjesht të tronditur. I gjithë populli ukrainas është në tronditje. Sepse ne nuk ishim gati për diçka të tillë. Dhe pastaj ka diçka më të keqe. Ka raportime të shumta për dhjetëra, nëse jo më shumë gra të dhunuara nga ushtarët rusë. Të përdhunuar para fëmijëve të tyre. Dhe pastaj vriten. Nuk gjej fjalë për të përshkruar atë që ndjej sa herë që dëgjoj një rrëfim të ri për diçka të tillë që po ndodh.

Veronika Didusenko (Foto: Screenshot/Instagram)

Telegrafi: E kishit menduar ndonjëherë se kjo do të ndodhte në këtë kohë?

Veronika Didusenko: Ne kemi qenë në luftë me Rusinë në lindje të Ukrainës për tetë vjet. Sigurisht, të gjithë e dinim për këtë, por nuk ishim aspak gati për tmerre të tilla. Për t’u përgatitur që qyteti juaj të bombardohet me raketa – e kuptoni që është e pamundur të jeni të përgatitur për këtë.

Telegrafi: Mendoni se do të ketë një fund të kësaj lufte dhe si do të jetë?

Veronika Didusenko: Të gjitha luftërat përfundojnë eventualisht. Dhe kjo do të përfundojë gjithashtu. Do të përfundojë me fitoren tonë. Dhe me turpin e pabesueshëm të gjithë popullit rus, jo vetëm para Ukrainës, por edhe para gjithë botës për shekuj me radhë. Unë me të vërtetë shpresoj që kriminelët do të dënohen – siç u dënuan nazistët në Nuremberg. Ne shohim tashmë deklarata se “Putini është një kriminel lufte” nga persona si Carla Del Ponte, ish-prokurorja e Tribunaleve Penale Ndërkombëtare të OKB-së për Jugosllavinë dhe Ruandën, e cila bën thirrje për një urdhër arrest ndërkombëtar të presidentit rus. Ky është vetem fillimi.

Telegrafi: Në shtetin tonë, Kosovë, ka pasur mbështetje të madhe për popullin e Ukrainës. A e keni parë këtë dhe si e komentoni?

Veronika Didusenko: E shohim tani që e gjithë bota është në anën e Ukrainës. Ndoshta, në të gjithë historinë e njerëzimit, asnjë komb nuk ka marrë ndonjëherë më shumë mbështetje sesa tani Ukraina. I jemi mirënjohës çdo kosovari, çdo qytetari të Kosovës për mbështetjen e tyre. Tani gjithçka ka të bëjë me drejtimin ku qytetërimi njerëzor do të ecë përpara. Kjo luftë, lufta jonë për liri do të ndikojë në të ardhmen e të gjithëve, përfshirë edhe tuajën. /Telegrafi/

SHARE