Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Kapitulli 23 i negociatave të Malit të Zi me Bashkimin Evropian, që lidhet me drejtësinë dhe të drejtat themelore, nuk mund të mbyllet pa zbatimin e plotë të rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe GRECO-s, veçanërisht në lidhje me verifikimin e integritetit të zyrtarëve publikë dhe parandalimin e konflikteve të interesit.
Sipas burimeve qeveritare, Qeveria tashmë ka ftuar shumicën parlamentare dhe opozitën në dialog për hartimin e zgjidhjeve konkrete për Ligjin për Qeverinë. Ndërkohë, GRECO ka rekomanduar që kontrollet e integritetit të kryhen para emërimit të ministrave dhe sekretarëve shtetërorë, ndërsa Komisioni i Venecias ka kërkuar që me ligj të përcaktohen qartë hapat që duhet të ndërmerren në rast të një rezultati negativ të verifikimit të integritetit.
Më 3 shtator, Kuvendi miratoi propozimin për ndryshimin e Kushtetutës, me të cilin parashihet heqja e imunitetit të kryeministrit dhe ministrave për vepra penale të lidhura me korrupsionin, por për ndryshimet përfundimtare nevojiten edhe dy votime të tjera.
Nga Delegacioni i BE-së në Mal të Zi kanë theksuar se vendi duhet të përmbushë edhe detyrime të tjera në fushën e sundimit të ligjit, përfshirë funksionalizimin e plotë të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, zgjedhjen e anëtarëve që mungojnë në Këshillin Gjyqësor dhe miratimin e paketës së dytë të ndryshimeve kushtetuese.









