DUKE MOS NËNSHKRUAR REVOKIMIN E 7 AMBASADORËVE, GJUKANOVIQ INJORON QEVERINË

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq duke refuzuar të nënshkruaj revokimin e 7 ambasadorëve i bën obstruksion Qeverisë në realizimin e të drejtave të caktuara kushtetuese dhe të kompetencave në udhëheqjen e politikës së jashtme të vendit, është kumtuar nga Ministria e Punëve të Jashtme. Ata e përkujtojnë presidentin se me ligjin për punë të jashtme nuk parashihen arsyetimi i shkaqeve për tërheqjen e ambasadorëve. “Andaj, Qeveria nuk është e detyruar që me rastin e tërheqjes dhe revokimit të ambasadorëve të theksojë shkaqet, duke pasur para sysh se emërimi dhe vendosja e përfaqësueseve diplomatik dhe konsullor është në kompetencat e Ministrisë së Jashtme, respektivisht të Qeverisë, kurse nënshkrimi i presidentit është çështje e karakterit protokollar dhe të praktikës diplomatike,” thuhet në kumtesë. Nga Ministria e Punëve të Jashtme kanë theksuar se duan të besojnë se Gjukanoviq, për shkak të mirëqenies së qytetarëve, dëshiron një bashkëpunim funksional me pushtetin.

SHARE