RAPORTI I KE-së PËR SHQIPËRINË, VLERËSOHEN REFORMAT NË DREJTËSI DHE EKONOMI

Komisioni Evropian ka publikuar Progres-Raportin për Shqipërinë për vitin 2026, ku vlerëson përparimin në procesin e integrimit evropian, veçanërisht në reformën në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar dhe zhvillimin ekonomik.

Megjithatë, raporti evidenton edhe problematika në funksionimin e institucioneve demokratike, korrupsionin dhe lirinë e medias.

Sipas Komisionit Evropian, Shqipëria ka përmbushur kriteret e ndërmjetme për grupin e kapitujve që lidhen me çështjet themelore, përfshirë drejtësinë, të drejtat themelore dhe funksionimin e institucioneve demokratike.

Autoritetet shqiptare synojnë mbylljen e të gjithë kapitujve negociues deri në fund të vitit 2027. Vlerësime pozitive janë dhënë për përfundimin e procesit të vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe për rezultatet e SPAK-ut në hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë.

Komisioni vlerëson gjithashtu përparimin në luftën kundër krimit të organizuar, rritjen ekonomike, turizmin, energjinë dhe arsimin.

Në aspektin ekonomik, raporti thekson se Shqipëria ruajti rritjen gjatë vitit 2025, e mbështetur kryesisht nga konsumi i brendshëm dhe turizmi.

Po ashtu, evidentohen ulja e borxhit publik, përmirësimi i tregut të punës dhe qëndrueshmëria e sektorit bankar.

Megjithatë, Komisioni shpreh shqetësime për mungesën e dialogut politik ndërmjet pozitës dhe opozitës, refuzimin e kërkesave për komisione hetimore dhe politizimin e emërimeve në institucionet e pavarura.

Raporti kërkon gjithashtu një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Kritika ka edhe për ndërhyrjet e politikanëve në sistemin e drejtësisë, ndërsa korrupsioni mbetet një sfidë. Pavarësisht vlerësimeve për SPAK-un, Komisioni kërkon më shumë hetime, ndjekje penale dhe dënime përfundimtare, veçanërisht në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë.

Një tjetër shqetësim i raportit është liria e medias, ku theksohet ndikimi i interesave politike dhe ekonomike, përqendrimi i pronësisë mediatike, mungesa e transparencës financiare dhe presioni ndaj gazetarëve. Komisioni evidenton gjithashtu nevojën për përmirësimin e kushteve në burgje, mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe zgjidhjen e çështjeve pronësore.

Sa i përket Planit të Rritjes së BE-së, Shqipëria ka përmbushur 33 nga 66 hapat e parashikuar deri në dhjetor 2025. Në kuadër të këtij instrumenti, vendi ka në dispozicion mbi 920 milionë euro në grante dhe kredi.

SHARE