PJESËMARRJA NË ZGJEDHJE NË SHBA, “MË E LARTA NË 120 VJET”

Mbi160 milionë amerikanë kanë votuar në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit në SHBA,duke prodhuar shkallën më të lartë të pjesëmarrjes në 120 vjet.Gara mes Presidentit Trump dhe rivalit Biden vazhdon të jetë e ngushtë dhe është ende e paqartë se kush do të jetë fitues. Në disa shtete kyçe mund të duhet disa ditë për të numëruar të gjitha votat. Janë 9 shtete që ende është vështirë të përcaktohet fituesi, Xhorxhia, Karolina e Veriut, Pensilvania, Miçigan, Uiskonsin, Mejn, Arizona, Nevada dhe Alaska. Presidenti ka siguruar tashmë fitore në Ohajo, Ajova, Teksas dhe në shtetin e rëndësishëm të Floridës me 29 vota elektorale, ndërsa zoti Biden kryeson në shtetin e Arizonës. Disa rrjete televizive në Amerikë parashikojnë fitoren e zotit Bajden në Arizona. Zëri i Amerikës nuk e ka nxjerrë ende parashikimin për këtë shtet për shkak të afërsisë së numrit të votave. Në se rezultati në Arizona qëndron, do të ishte hera e parë që nga 1996 që fitohet nga demokratët. Zoti Biden ndërkohë ka fituar edhe një votë elektorale në Nebraska, që në 2016 kishte shkuar për zotin Trump. Shtetet kyçe që pritet të përcaktojnë garën, janë ato të Pensilvanisë, Miçiganit dhe Uiskonsinit. Për shkak të pandemisë së koronavirusit, një numër rekord votash u hodhën me postë dhe numërmi i tyre ka bërë që procesi të zgjatet në kohë. 

SHARE