KURTI: DEZINFORMIMI I BEOGRADIT SHTYU ZBATIMIN E VENDIMIT PËR RECIPROCITETET, REAGON PETKOVIQI

Shtyrja e zbatimit te vendimeve për reciprocitet me Serbinë u bë për shkak të fushatës së madhe të dezinformimit që Beogradi ka bërë mbi qytetarët e Kosovës, tha kryeministri i Kosovës Albin Kurti, gjatë seancës parlamentare të 4 gushtut në Kuvendin e Kosovës. “Ka qenë e egër fushata e dezinformimit, është folur për operacionin stuhia që do të ndodh të dielën, është folur për ferrin që do t’i pllakos serbët në Kosovë e të tjera e të tjera”, tha Kurti. Ai tha se këto dezinfomarta kanë shtyrë Qeverinë e Kosovës që të pranojë tek faktorët ndërkombëtarë evropian dhe amerikanë shtyrjen e vendimit më 1 shator 2022. “Ajo që është dashur të ndodh para 11 viteve ne po fillojmë të zbatojmë tani. 11 vjet ka pasur pritje e tash më pak se 1 muaj ka nxitim. Pra ky muaj qenka shumë më i rëndë se ato 11 vjet”, tha Kurti. Kurti tha se vendimi për reciprocitet me Serbinë do të bëhet me 1 shtator dhe se me punë dhe angazhim gjithçka do të përmbyllet mirë. Deklarata e kryeministrit Kurti vin pas akuzave që deputet të partive opozitare i kanë bërë Qeverisë për situatën e krijuar në veri. Ndaj deklaratave të Kurtit ka reaguar drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. Ai ka thënë që Kurti është i vetmi që “dezinformon dhe gënjen”.“E vërteta e vetme është se Kurti dhe njësitë e tij speciale nën komandën e tij po përgatiteshin të kryenin dhunë të paprecedentë ndaj serbëve në Kosovë dhe Metohi dhe se fatkeqësia u shmang vetëm falë politikës së qetë, e të balancuar diplomatikisht dhe mbi të gjitha të vendosur të presidentit Aleksandar Vuçiq”, ka thënë Petkoviq në një komunikatë për media.

SHARE