SCHOLZ: OBJEKTIVI I DIALOGUT, MARRËVESHJA GJITHËPËRFSHIRËSE DHE E QËNDRUESHME

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se objektivi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe e qëndrueshme, e cila, sipas tij, do të kontribuonte në stabilitetin e rajonit e Ballkanit Perëndimor. Gjatë një konference për media në Berlin, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Scholz tha se është e rëndësishme që në kohën kur po zhvillohet pushtimi rus i Ukrainës, Prishtina dhe Beogradi të punojnë që t’i zgjidhin mospajtimet. “Objektivi i dialogut të Brukselit është një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e qëndrueshme midis dy vendeve që u hap të dyja vendeve perspektivën e Bashkimit Evropian dhe kontribuon për stabilitetin rajonal”, tha Scholz. Ai tha se e ka e ka inkurajuar kryeministrin Kurti për konstruktivitet në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian. Kancelari Scholz po ashtu u zotua se do të punojë edhe me partnerët e tjerë të BE-së lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën. “Sa i përket periudhave kohore, ne nuk mund ta themi sepse kjo varet nga organe të tjera, por ne jemi të interesuar që kjo të ndodhë shpejt”, tha Scholz. Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Qeveria që ai udhëheq është duke u përfshirë në dialog në mënyrë proaktive dhe konstruktive. “Pikëpamja dhe bindja jonë është që njohja reciproke të jetë në qendër, e jo në fund”, tha Kurti duke iu referuar një marrëveshjeje me Serbinë, që do të dilte si rezultat i dialogut të Brukselit. Scholz tha se bashkëpunimi rajonal është i rëndësishëm, andaj ai tha se në gjysmën e dytë do të ketë një ftesë për takim në kuadër të Procesit të Berlinit. Ky njoftim, sipas Kurtit, është i mirëpritur për Kosovën. Kancelari gjerman tha, po ashtu, se do ta vizitojë Kosovën në kuadër të një turneu në shtetet e rajonit.

SHARE