ZENKA: MALI I ZI VEPRON KUNDËR DISKRIMINIMIT DHE URREJTJES

Përballë pasigurisë në rritje, Mali i Zi po merr një qasje proaktive për të parandaluar të gjitha format e diskriminimit, urrejtjes dhe jo-tolerancës, tha Ministri Mehmed Zenka në një konferencë për antisemitizmin në rajonin e OSBE-së, e cila filloi sot në Tiranë. Ministri Zenka theksoi se Mali i Zi është një nga vendet e pakta ku kishte më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore sesa para fillimit të saj. E njëjta gjë është edhe për Republikën e Shqipërisë. “Meqenëse format e antisemitizmit nuk janë bërë kurrë pjesë e ideologjisë shtetërore në Mal të Zi, me krenari mund të themi se Mali i Zi është ndër të paktat vende në botë, ku nuk ka asnjë manifestim publik të antisemitizmit, as një qëndrim negativ ndaj hebrenjve”, tha Zenka. Siç u njoftua nga Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Zenka shprehu përkushtimin e vazhdueshëm të Malit të Zi për zhvillimin e mjedisit të saj shoqëror drejt njohjes dhe përballjes së ekstremizmit të dhunshëm, nacionalizmit, racizmit dhe çdo formë diskriminimi. “Ne do të vazhdojmë të përmirësojmë bashkëpunimin konstruktiv me komunitetin hebre në Mal të Zi në mënyrë që të promovojmë më tej lirinë fetare dhe të ruajmë harmoninë e përgjithshme shumëkombëshe dhe shumë-konfesionale,” tha Ministri Zenka. Në Mal të Zi, Komuniteti Hebre u krijua në vitin 2012 kur nënshkroi një traktat të marrëdhënieve të ndërsjella me Qeverinë e Malit të Zi, duke njohur fenë hebraike si një nga fetë zyrtare në vend me të gjitha të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin prej saj. Në konferencen dy-ditore, të organizuar nga OSBE dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë, marrin pjesë një numër i zyrtarëve të lartë të OSBE-së. Nga Ministria theksuan se në konferencë disa herë u përsërit paralajmërimi qe diçka që ndodhi dikur mund të përsëritet. “Për këtë arsye, askush nuk duhet të mbetet indiferent kur flitet për këtë kërcënim,” theksoi drejtoresha e ODIHR-it Ingibjorg Solrun Gistadotir. Ambasadori Paul Beker, dhe njëkohësisht Drejtori i Zyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së, kujtoi se kushdo që ka mundësi duhet të vizitojë një nga kampet famëkeq të përqendrimit të Luftës së Dytë Botërore.

SHARE