MANDIQ: NDRYSHIMET NË LIGJIN E REGJISTRIMIT DO TË INICOHEN NGA QEVERIA

Ndryshimet në Ligjin për regjistrimin e popullsisë do të inicohen nga Qeveria dhe të gjitha vërejtjet do t’i dërgohen pushtetit ekzekutiv, njoftoi sot kryetari i Kuvendit Andrija Mandiq.

Ai tha se për këtë është rënë dakord sot në një takim në Kuvend, ku morën pjesë kryeministri Millojko Spajiq, funksionarët e Malit të Zi Demokratik , Alleksa Beçiq dhe Boris Bogdanoviq, lideri i Malit të Zi të Bashkuar, Goran Danilloviq, deputetja e pavarur Jevrosima Pejoviq, përfaqësues të koalicionit “Për të ardhmen e Malit të Zi”, lëvizjes “Evropa Tani”, Partisë Boshnjake dhe ministri i Administratës Publike Marash Dukaj.

Ftesa për takim u refuzua nga Partia Demokratike e Socialistëve (PDS) dhe Socialdemokratët (SD).

Mandiq theksoi se ndryshimet në ligjin për regjistrimin do të iniciohen nga Qeveria, se të gjitha kundërshtimet do t’i dërgohen iniciatorit dhe se kërkesat më të rëndësishme që sigurojnë kontroll absolut të regjistrimit, përfshirë softuerin e bazës së të dhënave, do të respektohen…

“Ne kemi dashur të jemi iniciatorë të ligjeve të nevojshme me pjesëmarrjen e të gjithëve por PDS-ja nuk donte të ishte pjesë e atij dialogu parlamentar. U befasova që partitë opozitare kanë më shumë besim në Qeveri se sa në vetvete”, tha kryetari i Kuvendit.

Ai po ashtu tha se në organizimin dhe realizimin e regjistrimit të ardhshëm të popullsisë do të ndiqen rekomandimet e Eurostat-it, i cili e vlerësoi punën e Monstat-it me notat më të larta.

“Ne kemi një shtëpi serioze dhe profesionale që bën regjistrimin dhe një vullnet serioz politik”, tha Mandiq. Të gjitha të dhënat e mbledhura nga regjistrimi, shtoi ai, do të jenë të nevojshme për reforma të mëtejshme.

SHARE