KURTI: DRAFT-STATUTI PËR ASOCIACIONIN NDËRPRET TRASHËGIMINË E MOSNJOHJES SË KOSOVËS

ryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke raportuar në Kuvendin e Kosovës lidhur me takimin e 26 tetorit në Bruksel me liderët e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian (BE), ka thënë se draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe i prezantuar nga përfaqësuesit ndërkombëtarë nuk është “Zajednica” që e parashihnin marrëveshjet e vitit 2013/2015.

Kurti në fjalën e tij para deputetëve tha se draft-statuti i Asociacionit i prezantuar nga emisarët ndërkombëtarë gjatë vizitës së tyre në Prishtinë më 21 tetor “e ndërpret trashëgiminë mosnjohëse të Kosovës që ishte çimentuar në marrëveshjet e 2013 dhe 2015”.

Sipas Kurtit, më 26 tetor në Bruksel ai ka theksuar jo vetëm prioritetin politik për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por edhe urgjencën gjeopolitike, duke pasur parasysh “luftën mes Izraelit dhe Hamasit dhe luftën në Ukrainë, e cila nuk ka fund”.

“Në atë moment unë kam thënë hapur se me qenë se qenka kaq çështje urgjente po e marrim Marrëveshjen Bazike, Aneksin e zbatimit, pra, tekstet e Brukselit dhe të Ohrit edhe këtë draft-statut për të cilin unë paraprakisht ua kam dërguar një faqe me vërejtjet e mia kapitale emisarit Lajçak dhe vetëm si një paketë ku janë të trija, me këtë rënditje që e thash dhe me kërkesën tonë për statusin e vendit kandidat në BE dhe për Programin e NATO-s për Partneritetin për Paqe po i nënshkruajmë sot”, tha Kurti.

Mirëpo, siç ka theksuar ai, liderët evropianë më pas janë takuar me presidentin e Serbisë, i cili ka refuzuar nënshkrimin e marrëveshjes dhe madje ka deklaruar se nuk e njeh integritetin territorial të Kosovës. Kurti tha se ende nuk e ka pranuar draft-statutin, të cilin e kanë prezantuar 5 delegatë amerikano-evropianë më 21 tetor dhe nuk bëhet fjalë për një pranim të draft-statutit pa e parë atë edhe deputetët.

“Një draft të tillë unë nuk e kam pranuar, nuk e kam pranuar ende. Dhe, kurrfarë pranimi nuk vjen në shprehje pa e parë jo. Për shkak se nuk e kam pranuar edhe nuk po e shihni. Ta pranosh nënkupton të pajtohesh dhe të ndërmarrësh obligime për zbatimin e draftit. Unë një përkushtim të tillë nuk e kam marrë. Ajo çfarë unë kam ofruar është që ta nënshkruaj dhe si rrjedhojë ta pranoj”, tha Kurti.

SHARE