Konsumi ka rënë ndjeshëm edhe në tregtinë elektronike, e cila deri më tani ka përfituar nga pandemia. Ekspertët thonë se pika më e ultë e konsumit ende nuk është arritur. Tregtarët gjermanë e mbyllën gjysmën e parë të vitit me rënien më të madhe të shitjeve në 28 vjetët e fundit. Arsyet ishin inflacioni i lartë, kriza e Coronës dhe lufta në Ukrainë. Xhiroja e të ardhurave nga konsumi ka rënë në qershor në 8,8 përqind, krahasuar me një vit më parë, njoftoi të hënën (01.08) Zyra Federale e Statistikave. “Kjo është rënia më e madhe në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar që nga viti 1994”, kumtoi Zyra. Në terma nominalë – pra jo vetëm parë nga çmimet – shitjet ranë me vetëm 0.8 përqind. “Diferenca mes rezultateve nominale dhe reale reflekton me rritje të larta të çmimeve në pakicë, të cilat po ndikojnë dukshëm në besimin e konsumatorit”, shpjeguan statisticienët. Ekonomistët parashikojnë periudha të vështira për vazhdimin e shitjeve me pakicë. “Ky nuk ishte lajmi i fundit i keq për konsumatorët,” tha kryeekonomisti në Hauck Aufhäuser Lampe Privatbank AG, Alexander Krüger. “Për shkak të disponimit të ulët të konsumatorit, konsumi ka të ngjarë të vazhdojë të bjerë edhe në të ardhmen. Konsumatorët po luftojnë me humbje serioze të të ardhurave reale.” Rritja e çmimeve të gazit do të pakësojë edhe më shumë dëshirën e konsumatorëve për të shpenzuar para këtë vit. “Pika më e ulët e konsumit nuk ka ardhur ende,” thotë Krüger.