Vendimi i befasishëm nga Arabia Saudite dhe prodhuesit e tjerë të OPEC + për të ulur prodhimin e naftës së papërpunuar nga Maji ka rritur ndjeshëm çmimet e naftës.
Nafta në bursën amerikane u rrit me 5.51% duke arritur në 79.84 dollarë për fuçi, ndërsa nafta në bursën e Lodrës u rrit me 5.46% duke arritur në 84.25 dollarë për fuçi. Grupi OPEC +, deklaroi se ulja e prodhimit të naftës synon arritjen e stabilitetit në tregun global të naftës. Riadi deklaroi se do të ulë prodhimin me 500,000 fuçi në ditë, ndërsa Iraku do të reduktojë prodhimin e tij me 211,000 fuçi në ditë, sipas deklaratave zyrtare.
Administrata Biden u shpreh se e shihte masën e shpallur nga prodhuesit si të pamatur. Shtetet e Bashkuara kanë argumentuar se botës i duhen çmime më të ulëta për të mbështetur rritjen ekonomike dhe për të parandaluar presidentin rus Vladimir Putin të fitojë më shumë të ardhura për të financuar luftën në Ukrainë.
Ekspertët shprehen se rritja e çmimit të naftës mund ta vështirësojë betejën për të ulur inflacionin, por ndikimi më i madh do të jetë në kostot e transportit. Disa të tjerë mendojnë se kërkesa në rritje e Kinës për naftë dhe marrëdhënia e saj e veçantë me Rusinë luajti patjetër një rol në procesin e vendimmarrjes së OPEC -ut.
“Marrëdhënia e veçantë Kinë-Rusi, ajo i kapërcen çmimet e naftës, çmimet e naftës janë një komponent shumë i rëndësishëm i marrëdhënies. Kina, importuesi më i madh në botë, dhe së shpejti pas disa vitesh do të bëhet konsumatori më i madh i naftës. Megjithatë, disa ekonomi të tjera të varura nga energjia në Azi, si Singapori, do të jenë veçanërisht të prekshme ndaj shkurtimeve të prodhimit.”
Reduktimet e fundit vijnë pas një shkurtimi të shpallur nga Opec + në tetorin e vitit të kaluar prej dy milionë fuçi në ditë. Megjithatë, ulja e vitit të kaluar erdhi pavarësisht thirrjeve nga SHBA dhe vende të tjera që prodhuesit e naftës të nxjerrin më shumë naftë.
Kur grupi OPEC + njoftoi shkurtimet e prodhimit në tetor, presidenti i SHBA Joe Biden tha se ishte i zhgënjyer nga vendimi dritëshkurtër.
Përveç kësaj, Rusia tha se do të zgjasë uljen e saj të prodhimit prej gjysmë milioni fuçi në ditë deri në fund të vitit.