URA MBI BUNË DO TË KRIJOJË NJË ANTALIA TË RE

Ura mbi Bunë do të lidhë 30 kilometra plazh dhe do të krijojë një rajon që do të jetë Antalia e re, tha kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Barjaktari.

Barjaktari e konsideron atë projekt si një nga projektet më të mëdha vizionare në 30 vitet e fundit që i përket Komunës së Ulqinit.

“Është një projekt i madh si për Ulqinin, ashtu edhe për Malin e Zi dhe për lidhjen tonë me Shqipërinë, të ardhmen turistike dhe ekonomike të vendit tonë. Do të jetë një katalizator për aktivitetin tonë turistik dhe ekonomik dhe mendoj se kjo do ta kthejë Ulqinin dhe Plazhen e Madhe në bartës të zhvillimit të gjithë Malit të Zi,” tha Barjaktari.

Ura do të shkurtojë rrugën drejt Shqipërisë me 70 kilometra, do të jetë 310 metra e gjatë dhe rreth 4 metra e gjerë. Do të kushtojë rreth 20 milionë euro.

“Do të jetë një projekt i rëndësishëm për ne dhe për Shqipërinë, por edhe për të gjithë rajonin. Do të jetë gjithashtu një simbol i ri i lëvizshmërisë së qytetarëve dhe ekonomisë. Mendoj se është një shenjë e vërtetë. Ura do të kushtojë rreth 20 milion euro. Mendoj që çmimi në raport me rëndësinë e projektit nuk është i madh sepse Ulqini do të marrë një pikë të re kufitare dhe një vlerë të re. Na afron me aeroportin e Tiranës, do të jetë pothuajse aq larg sa aeroporti i Podgoricës dhe kjo është një nga avantazhet për Ulqinin. Do të kontribuojë edhe në tërheqjen e investimeve të huaja direkte në Komunën e Ulqinit”, tha Barjaktari.

Ai thekson se duke lidhur Ulqinin dhe Velipojen, ura do të lidhë 30 kilometra plazh, që siç tha ai mund të jetë Antalia e re.

Ai beson se ky rajon do të jetë një mundësi e madhe për investime.

SHARE