NETANYAHU, DREJT FITORES NË IZRAEL

Sipas sondazheve, ish-kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu është në rrugë drejt fitores së zgjedhjeve parlamentare të mbajtura një ditë më parë në Izrael. Rezultatet e sondazheve kanë treguar se blloku i tij i krahut të djathtë ka fituar një shumicë të thjeshtë në Parlament, në krahasim me rivalët e tij. Një rezultat i tillë do të përbënte kthim dramatik të Netanyahut, i cili u rrëzua vitin e kaluar nga pushteti, pas 12 vitesh udhëheqje. “Jemi afër fitores së madhe”, u tha ai mbështetësve në Jerusalem. Zgjedhjet e kësaj here janë konsideruar si votime pro apo kundër kthimit të Netanyahut. Rezultatet zyrtare, që në fakt mund të nxjerrin tjetër përfundim, pritet të bëhen publike në orët në vijim. Rivali i tij kryesor, kryeministri aktual, Yair Lapid, ka thënë se “asgjë” nuk është vendosur ende. Netanyahu, 73-vjeçar, është një prej figurave politike më kontroverse në Izrael, i cili kritikohet nga politikanët e qendrës, mirëpo ka një bazë të madhe të mbështetësve besnikë në partinë e tij Likud. Ai është përkrahës i madh i projektit të ndërtimit të vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor, të pushtuar në luftën e vitit 1967. Vendbanimet në atë pjesë konsideron ilegale, sipas ligjit ndërkombëtar, ndonëse Izraeli nuk e pranon këtë qëndrim. Netanyahu kundërshton krijimin e një shteti palestinez në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës, si zgjidhje për konfliktin izraelito-palestinez, formulë e mbështetur nga komuniteti ndërkombëtar, përfshirë administratën e presidentit amerikan, Joe Biden. Aktualisht Netanyahu është duke u gjykuar nën akuzat për ryshfet e mashtrime, të cilat vetë ai i hedh poshtë. Partnerët e tij të mundshëm në koalicionin qeverisës kanë thënë se do të reformojnë sistemin e drejtësisë, hap që do të mund t’iu jepte fund procedurave gjyqësore kundër tij.

SHARE