BASHKIMI EVROPIAN DHURON TRE MILION EURO MALIT TË ZI PËR TË BLERË PAJISJE MJEKËSORE

Bashkimi Evropian dhuron tre milion euro për blerjen e njëqind respiratorëve, dhjetë pajisje me rreze x dhe një kontigjent të pajisjeve mbrojtëse për punonjësit e kujdesit shëndetësor në Mal të Zi.

Kontrata për këtë dhurim u nënshkrua sot dhe është financuar nga fondet e BE-së, si pjesë e mbështetjes për Malin e Zi në përgjigjen urgjente të pandemisë koronavirus.

Marrëveshja u nënshkrua gjatë një konference në internet nga Shefi i Delegacionit të BE në Mal të Zi, Ambasadori Aivo Orav dhe Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP Daniella Gashparikova dhe Zëvendëskryeministri Millutin Simoviq, i cili kryeson Trupin Koordinues Kombëtar.

“Bashkimi Evropian gjithashtu ka siguruar një shtesë prej 50 milion eurosh në ndihmë të Malit të Zi për të përballuar efektet e krizës së koronavirusit.

Së bashku me institucionet kompetente kombëtare, ne do të drejtojnë këtë ndihmë atje ku është më e nevojshme – në sektorin e shëndetit, ekonomisë, për të ndihmuar sipërmarrësit dhe ata në nevojë si dhe sektorët e tjerë të prekur nga kriza,” tha Orav.

Gashparikova theksoi se video konferenca ishte e organizuar në mënyrë që të tregojë, me shembull personal, domosdoshmërinë e respektimit të vazhdueshëm të masës së distancës fizike.

Simoviq shtoi se ndihma do të kishte një rëndësi të madhe për sistemin e kujdesit shëndetësor, dhe tregoi se Mali i Zi nuk është vetëm dhe se partnerët dhe miqtë e saj ndërkombëtarë janë me të.

SHARE