LAJÇAK VIZITË NË KOSOVË

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak deklaroi në Prishtinë se pret që marrëveshja gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi të arrihet brenda mandatit qeverisës të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit. Pas një takimi me ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, ai tha se edhe BE-ja pret zbatimin e programit elektoral të kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe Osmanit, por se partnerët ndërkombëtarë, BE-ja dhe SHBA-ja, presin edhe vazhdimin e dialogut. Lajcak ka thënë se BE-ja është e gatshme ta mbështes Kosovën në rritje të punësimit dhe luftim të korrupsionit pasi janë prioritete edhe të BE-së. “Duhet t’ju them se sa më shpejtë që Kosova e Serbia të jenë të gatshme, ky proces mund të përfundojë në disa muaj, por s’është çështje vitesh,” tha ai. Ai tha se pret që klasa politike në Kosovë të jetë unike në këtë drejtim dhe ta kuptojë rëndësinë e dialogut me Serbinë. Lajçak i siguroi liderët kosovarë se procesi i dialogut është në koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara. Lajçak përveç me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ushtrueses së detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, është takuar edhe me kryeministrin në detyrë, Avdullah Hoti, si dhe me ambasadorin e SHBA-së në Prishtinë Philip Kosnett.

SHARE