Lindon Gjelaj është zgjedhur kryetar i ri i Komunës së Tuzit.
Gjelaj zëvendëson Nik Gjeloshaj, i cili dha dorëheqje pasi u zgjodh zëvendëskryeministër i Qeverisë së Malit të Zi dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik më 31 tetor.
Për Gjelaj votuan 18 këshilltarë, 15 nga radhët e Forumit Shqiptar, Shtjefën Camaj nga radhët e Demokratëve, Adnan Pepiq nga radhët e Partisë Boshnjake, si dhe Damir Beqaj nga Levizja për Tuz, ndërsa në seancën e gjashtë të kuvendit të Komunës së Tuzit nuk morën pjesë këshilltarët e PDS-së, Partisë Boshnjake dhe Socialdemokratët.
Pas betimit kryetari Gjelaj shprehet: „Vizioni im është vetëqeverisja lokale moderne me zhvillim, bashkëpunim me diasporën dhe Qeverinë e Malit të Zi. Do të kemi një administratë që nuk do të bëjë dallime mes qytetarëve.“
Lindon Gjelaj, me profesion është profesor i Sociologjisë dhe ka një angazhim mbi 15 vjeçar si profesor në gjimnazin e Tuzit.
Ai poashtu ka qenë këshilltar në disa mandate në kuvendin komunal të Tuzit.
Gjelaj gjithashtu vitet e fundit mbante pozitën e sekretarit Shtetëror në Ministrinë e Administratës Publike të Malit të Zi si dhe pozitën e sekretarit të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, kurse nga korriku i vitit 2021, deri në korrik të vitit 2023, ishte drejtor i gjimnazit “25 Maji” në Tuz.
Aktualisht është edhe kryetar i Degës së ASH-së, për Malësi.
Ferhat Dinosha në emer të Unionit Nacional Shqiptar shprehi përkrahjen pa rezervë për z. Gjelaj ku veçojë punën e tij në krye të shkollës së mesme të përzier “25 Maji“ në Tuz.
Ai theksoi se Gjelaj do gjejë ekipe të profesionalizuara.
Ai theksoi se hyrja në Qeverinë e Malit të Zi ishte një sfidë e madhe por janë pranuar nga kryeministri sygjerimet kryesore e që është rruga pro përendimore, fqinësia e mirë.
Ai foli edhe mbi regjistrimin e popullsisë duke theksuar që shqiptarët e dinë se si të deklarohen pavarësisht besimit fetarë, e dinë cila është perkatësia kombetare.
„Shqiptarët nuk kanë arsye të mos konfirmojnë identitetin e tyre dhe të përmbushin detyrën e tyre qytetare,“ tha Dinosha.
Damir Beqaj nga Lëvizja për Tuz ka thënë se Lindon Gjelaj do të ketë mbështetjen e plotë për zgjedhjen e kryetarit të komunës së Tuzit.
Këshilltari i Demokratëve, Shtjefën Camaj nuk është pajtuar me faktin që në seancë ndaras të zgjidhen dy nënkryetarët e komunës dhe theksoi se është dashur një konsultim edhe më i gjerë pasi që edhe ai është pjesë e pushtetit.
„Mendoj se është bërë një gabim. Kur Malësia kishte nevojë për mbështetje, ne e dhamë atë,“ theksoi Camaj.
Në seancën e radhës të kuvendit të komunës së Tuzit do të zgjidhen dy nënkryetarë të komunës. Njëri do të jetë nga Lidhja Demokratike e Shqiptarëve, ndërsa tjetri nga Unioni Nacional Shqiptar.