MBËSHTETJE E GJERMANISË DHE FRANCËS PËR MALIN E ZI, SYNOHET MBYLLJA E NEGOCIATAVE ME BE-në DERI NË FUND TË VITIT

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Mali i Zi po vazhdon të shënojë progres të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke marrë mbështetje të fortë nga Gjermania dhe Franca.

Në një konferencë për media në Podgoricë, ministrja e Çështjeve Evropiane, Maida Gorçeviq, deklaroi se synimi kryesor i vendit mbetet mbyllja e të gjitha kapitujve të negociatave me BE-në deri në fund të këtij viti. Ajo theksoi se fokusi i qeverisë është te reformat, forcimi i sundimit të ligjit dhe përmbushja e standardeve evropiane, ndërsa vlerësoi si hap të rëndësishëm formimin e grupit të punës për hartimin e Traktatit të Anëtarësimit.

Ministri gjerman për Evropën, Ginther Krichbaum, vlerësoi se Mali i Zi është vendi më i avancuar në procesin e zgjerimit të BE-së në rajon. Sipas tij, integrimi evropian është një projekt që duhet të mbështetet nga të gjitha forcat politike dhe institucionet, me qëllim ndërtimin e një Evrope të bashkuar dhe të qëndrueshme.

Ndërkohë, ministri francez për Evropën, Benjamin Haddad, përgëzoi Malin e Zi për rezultatet e arritura në negociata, duke theksuar se zgjerimi i Bashkimit Evropian bazohet në meritë dhe se progresi i Podgoricës përbën një sinjal pozitiv për të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Zyrtarët evropianë ritheksuan se anëtarësimi në BE është investim për të ardhmen dhe shprehën bindjen se Mali i Zi ka potencialin për të përmbyllur me sukses procesin negociues në periudhën e ardhshme.

SHARE