KOS: MALI I ZI DO TË JETË I PARI QË DO T’I BASHKOHET BE-së, PASTAJ SHQIPËRIA

Foto: euneighbourseast.eu

Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar se Bashkimi Evropian në vitet e ardhshme do të zgjerohet me anëtarë të rinj.

Sipas saj, vendi i parë në radhë është Mali i Zi, ndërsa pas saj vjen Shqipëria.

Në një konferencë në Freiburg, Kos tha se është realiste që BE-ja të ketë zgjerim në vitet e ardhshme, por theksoi se në disa pjesë të Ballkanit Perëndimor ende ekziston skepticizëm për anëtarësim.

Megjithatë, ajo shpreson që shembulli pozitiv i Malit të Zi dhe Shqipërisë të inkurajojë edhe vendet e tjera të rajonit të vazhdojnë rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Ajo shtoi se marrëveshjet e ardhshme të anëtarësimit do të përfshijnë mekanizma më të fortë mbrojtës, të cilët do t’i lejojnë Komisionit Evropian të ndërhyjë në rast të mosrespektimit të rregullave dhe vlerave të BE-së.

Sipas saj, marrëveshja e anëtarësimit të Malit të Zi do të jetë e para që do të përfshijë këto mekanizma të veçantë, të bazuar edhe në përvojat e mëparshme me vende si Hungaria.

Kos gjithashtu tha se Bashkimi Evropian synon të shmangë situata ku brenda tij mund të ketë vende që nuk respektojnë plotësisht rregullat, duke theksuar se sot BE-ja është më e kujdesshme në procesin e zgjerimit sesa në të kaluarën.

SHARE