HOTI PARALAJMËRON MUNDËSINË E KTHIMIT TË RECIPROCITETIT ME SERBINË

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka paralajmëruar se procesi i dialogut me Serbinë duhet të përfundojë me një marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke ose në të kundërtën, Kosova do t’i zbatojë të gjitha masat e reciprocitetit me Serbinë. “Të gjitha pa përjashtim, të gjitha masat që Serbia i drejton nga ne, ne kemi të drejtë dhe do t’i drejtojmë kah Serbia”, ka thënë Hoti pas një takimi me përfaqësues të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Megjithatë, Hoti tha se beson që me përfshirjen e “partnerëve ndërkombëtarë që kemi arritur në këtë proces” nuk do të ketë nevojë të që aplikohen këto masa ekstreme, pasi sipas tij, çdo ditë po bëhet progres drejt marrëveshjes përfundimtare me Serbinë. Kryeministri në detyrë i Kosovës i bëri këto komente pasi u pyet se si do të veprojë Kosova në raste se Serbia pengon dërgimin e librave shkollorë për shqiptarët në Luginën e Preshevës, të cilat institucionet e Kosovës parashohin t’i dërgojnë në këtë pjesë të Serbisë gjatë këtij viti. Dërgimi i librave, por edhe një sërë projektesh tjera janë paraparë në programin e Zyrës për Luginën e Preshevës, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së kryeministrit të Kosovës. Në kuadër të këtij programi parashihet ndihma për organizatat joqeveritare në Luginën e Preshevës, pastaj ruajtja dhe promovimi i trashëgimisë kulturore dhe projekte tjera, përfshirë edhe një studim për gjendjen sociale dhe ekonomike të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

SHARE