SHAI “ART CLUB” BOTON LIBRIN “PA IDEALIZIME” TË AUTORIT ISLAM PALI

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” ka botuar këto ditë librin “Pa idealizime” të autorit Islam Pali (pas vdekjes). Libri është përmbledhje e artikujve gazetareskë të gjinive të ndryshme, recensioneve dhe përkthimeve letrare, punimeve në fushën e toponomastikës etj., që janë botuar në revistat “Koha”, “Fati”, “Koha javore”, “Lemba” apo emetuar në Radion e Malit të Zi. Po ashtu, pjesë e librit janë edhe disa poezi të autorit, që botohen për të parën herë.

Libri është përgatitur për botim nga Sabri Halili dhe Ismet Kallaba, redaktor i librit është Fran Camaj, recensent dr. Haxhi Shabani, ndërsa redaktor teknik Qazim Muja. Libri është shtypur në shtypshkronjën IVPE – Cetinë.

Në parathënien e librit, Sabri Halili shkruan se „temat e trajtuara nga Islami para dhjetë e më shumë vjetësh edhe sot janë shumë aktuale”, ndërsa “fakti që tekstet u përkasin fushave të ndryshme… tregon për interesimin dhe kontributin e autorit në disa fusha të dijes”.

Redaktori Fran Camaj, në vështrimin e tij thekson se ky është një libër i vogël, por i madh për nga përmbajtja dhe me shumë porosi. Sipas tij, tekstet e përfshira në këtë libër “tregojnë se Islam Pali ka qenë gazetar i shkëlqyeshëm, se e ka njohur shumë mirë profesionin e gazetarisë, se ka ditur të hyjë në thelbin e problemit, duke respektuar gjithherë parimet themelore të gazetarisë, duke u bazuar vetëm në të vërtetën, sado e hidhur të ketë qenë ajo”.

Ndërsa recensenti Haxhi Shabani vëren se „Islam Pali u takon atyre kuadrove në gazetarinë në gjuhën shqipe në Malin e Zi të cilët qysh gjatë viteve të tetëdhjeta të shekullit të shkuar krijuan standarde në gazetari që duhen ndjekur”.

Islam Pali u lind në Krythë të Anës së Malit, në vitin 1959. Ka mbaruar studimet e larta në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës – dega Letërsi dhe gjuhë shqipe. Pas përfundimit të fakultetit, një kohë të gjatë ka punuar në Redaksinë shqipe të Radio Titogradit (më vonë Radio e Malit të Zi). Ka qenë ndër themeluesit e SHAI “Art Club”, si dhe ndër themeluesit dhe kryetari i parë i Shoqatës së Gazetarëve Shqiptarë në Mal të Zi. Përpos punës në Radion e Malit të Zi, ka bashkëpunuar me revistën për art, shkencë, kulturë dhe çështje shoqërore “Koha”, të përmuajshmen informative, kulturore dhe shoqërore “Fati”, revistën për art, kulturë dhe shkencë “Lemba”, gazetën “Koha javore” etj. Në vitin 2002 emigroi në SHBA. Vdiq në Nju-Jork, më 19 korrik 2019.

Në kuadër të veprimtarisë së tij botuese “Art Club”, botuesi më i madh ndër shqiptarët në Malin e Zi, ka botuar deri tani rreth 160 libra, kryesisht të autorëve shqiptarë në Malin e Zi.

Ulqin, më 04. 01. 2020                                                                        

SHAI “Art Club”

SHARE