Foto: predsjednik.me
Mali i Zi mund t’i mbyllë të gjithë kapitujt e mbetur të negociatave me Bashkimin Evropian deri në fund të këtij viti, nëse vazhdon dhe përshpejton ritmin e reformave. Kështu deklaroi presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, pas takimit me ambasadorin e BE-së në Podgoricë, Johann Sattler, i cili i dorëzoi Raportin e Komisionit Evropian për Malin e Zi për vitin 2026.
Millatoviq e cilësoi raportin pozitiv, duke theksuar se ai konfirmon përparimin e vendit dhe dëshmon se përfundimi i negociatave është një objektiv i arritshëm.
Ai tha se Mali i Zi nuk ka qenë asnjëherë më afër anëtarësimit në BE dhe se tani përgjegjësia u takon institucioneve dhe aktorëve politikë për ta shfrytëzuar këtë mundësi historike.
Sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, kapitujt e mbetur mund të mbyllen përkohësisht deri në fund të vitit, me kusht që të ketë pajtueshmëri nga shtetet anëtare të BE-së.
Ndërkohë, puna për Traktatin e Anëtarësimit tashmë ka filluar dhe nënshkrimi i tij mund të bëhet deri në qershor të vitit 2027.
Millatoviq përsëriti synimin që Mali i Zi të bëhet anëtarja e 28-të e Bashkimit Evropian deri në vitin 2028.
Megjithatë, ai paralajmëroi se vlerësimet pozitive nuk duhet të sjellin vetëkënaqësi, duke veçuar si sfidë numrin e ulët të aktgjykimeve përfundimtare dënuese në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e menaxhimit të përgjegjshëm të financave publike dhe të reformave ekonomike të qëndrueshme, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në paga, pensione dhe standardin e jetesës së qytetarëve.
Në fund, presidenti bëri thirrje për konsensus të gjerë politik, përgjegjësi institucionale dhe fokus të plotë në reformat që lidhen me integrimin evropian.










