Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Mali i Zi pritet që nesër, në Konferencën Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian, të mbyllë përkohësisht edhe dy kapituj të tjerë të negociatave, ka bërë të ditur ministrja e Çështjeve Evropiane, Maida Gorçeviq, në Kuvend.
Bëhet fjalë për Kapitullin 1, që lidhet me lëvizjen e lirë të mallrave, dhe Kapitullin 12, që përfshin sigurinë ushqimore, politikën veterinare dhe atë fitosanitare.
Gorçeviq theksoi se raporti i fundit i Komisionit Evropian konfirmon pozitën e Malit të Zi si vendi kryesues në procesin e zgjerimit të BE-së.
Megjithatë, ajo nënvizoi se mbyllja e kapitujve nuk nënkupton përfundimin e punës në rrugën drejt anëtarësimit.
Gjatë debatit parlamentar, ministrja u pyet edhe për iniciativën për ndryshimin e Ligjit për Simbolet Shtetërore dhe Ditën e Shtetësisë.
Ajo sqaroi se këto ndryshime nuk janë detyrim në kuadër të negociatave me Bashkimin Evropian.
Sipas saj, çështjet e tilla duhet të diskutohen në Kuvend përmes dialogut politik, ndërsa institucionet dhe shoqëria duhet të vazhdojnë angazhimin për përmbushjen e detyrimeve që mbeten në procesin e integrimit evropian.










