Kryeministri i Mali të Zi, Zdravko Krivokapiq do të vizitojë institucionet e BE-së dhe NATO-s në Bruksel më 15 dhe 16 dhjetor. Krivokapiq do të zhvillojë bisedime me Presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel, Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Layen, Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë Josep Borrell, Presidentin e Parlamentit Evropian David Sassoli, Përfaqësuesin Special të BE për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale në Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, si dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg. “Në atë kontekst, u vlerësua se vizita e Kryeministrit Krivokapiq në Bruksel përfaqëson një mundësi për të afirmuar angazhimin e qartë të Qeverisë për integrimin evropian të Malit të Zi dhe angazhimin e vendosur për përmbushjen e detyrimeve nga agjenda evropiane, si dhe gatishmërinë për të forcuar kontributin e Malit të Zi në NATO. Vizita do të jetë një mundësi për të prezantuar përparësitë e Qeverisë së re dhe hapat që do të ndërmerren për të adresuar sfidat në fushat kryesore si: ekonomia, sundimi i ligjit, lufta kundër COVID-19. Realizimi i përparësive do të përqendrohet në mirëqenien e të gjithë qytetarëve dhe në të njëjtën kohë bazuar në standardet e trashëguara nga Bashkimi Evropian,” thuhet në deklaratën e Qeverisë. Në seancën e saj të dytë të mbajtur sot, të kryesuar nga Kryeministri Zdravko Krivokapiq, Qeveria e Malit të Zi miratoi një Dekret për ndryshimin e Dekretit mbi organizimin dhe mënyrën e punës së administratës shtetërore. Në seancë u theksua se, duke pasur parasysh urgjencën në krijimin e sistemit të pagesave dhe shërbimin e rregullt të detyrimeve shtetërore në vitin 2020, ndryshimi i rregulloreve rregullon mënyrën e menaxhimit dhe tjetërsimit të fondeve të përcaktuara me Ligjin e Buxhetit për vitin 2020 nga 7 dhjetori 2020. Është konstatuar se miratimi i Dekretit do të mundësojë realizimin e papenguar juridiko-administrativ të buxhetit për vitin 2020, pra shërbimin e rregullt të detyrimeve aktuale, pa ndryshime në të hyrat dhe shpenzimet e buxhetit. Brenda pikave të rendit të ditës, propozimet për shkarkime dhe emërime, propozime për ndryshime të personelit në ministritë e linjës u miratuan dhe u vendos që materialet të paraqiten në procedurën e rregullt deri në verifikimin e konkluzioneve nga seanca e sotme.