ABAZOVIQ: TË ULEN TENSIONET, NA PRET NJË VIT I VËSHTIRË

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, bëri thirrje sot për të ulur tensionet e përgjithshme në shoqëri, duke deklaruar se Mali i Zi po përballet me një vit të vështirë dhe shumë vendime të rëndësishme. Ai tha se qeveria e re po përpiqet të jetë sa më efikase dhe se filluan punën menjëherë, gjë që tregon se ekziston një energji e re. Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve nëse ai i sheh festimet që u organizuan në disa qytete si një festë e qeverisë së re apo si një provokim ndaj disa pakicave, Abazoviq deklaroi se ai është gjithmonë i lumtur kur njerëzit gëzohen, por kjo nuk duhet të jetë në dëm të dikujt tjetër. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të ruajnë dinjitetin e tyre sa më shumë që të jetë e mundur dhe të shmangin çdo lloj provokimi nëse duan të ndihmojnë qeverinë e re. Abazoviq bëri thirrje për respektimin e masave epidemiologjike që janë ende në fuqi duke shtuar se masa të reja me siguri do të miratohen nesër. “Apeli im është të ulet pak tensioni i përgjithshëm në shoqëri. Kemi një vit të vështirë përpara dhe shumë vendime të rëndësishme. Gjërat po na presin në lidhje me stabilizimin e ekonomisë. Unë mendoj se kjo duhet të jetë përparësia e të gjithë qytetarëve,” theksoi Abazoviq.

SHARE