Sot, Parlamenti i Malit të Zi, me votat e shumicës parlamentare, zgjodhi Qeverinë e re, Kryeministër i së cilës është Zdravko Krivokapiq. Për zgjedhjen e qeverisë së re, e cila do të ketë 12 ministri dhe një zëvendëskryeminstër, 41 deputetë votuan pro, 28 ishin kundër, dhe një abstenoi. Zëvendëskryeministri është figura e vetme e partisë, udhëheqësi i Lëvizjes Qytetare URA, Dritan Abazoviq. Ministër i Brendshëm është Sergej Sekulloviq, Ministre e Mbrojtjes është Olivera Injac ndërsa Ministër i Punëve të Jashtme është Gjorgje Radulloviq. Departamenti i Financave dhe Mirëqenies Sociale do të drejtohet nga Millojko Spajiq, investimet kapitale nga Mlladen Bojaniq si dhe zhvillimi ekonomik nga Jakov Millatoviq. Ministri i Drejtësisë, Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut është Vlladimir Leposaviq, Ministre e Shëndetësisë është Jellena Boroviniq Bojoviq dhe për Ministre të Arsimit, Shkencës, Kulturës dhe Sporteve është zgjedhur Vesna Bratiq. Departamenti i Ekologjisë, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit do të drejtohet nga Ratko Mitroviq kurse Administrata publike, shoqëria dixhitale dhe media nga Tamara Srrzhentiq. Në krye të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave do të jetë Aleksandër Stijoviq. Krivokapiq u emërua për kryeministër nga Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq më 8 tetor, me kërkesë të tre koalicioneve që siguruan një shumicë parlamentare pas zgjedhjeve të 30 gushtit.