GJELOSHAJ ME BASHKËPUNTORË PRITËN MARKOVIQIN, VIZITUAN PUNIMET NË RRUGËN DINOSHË – CEM I TRIESHIT

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, vizitoi sot punimet në rrugën Dinoshë – Cem i Trieshit, ku u prit nga kryetari i Komunës së Tuzit Nik Gjeloshaj, kryetari i Kuvendit Fadil Kajoshaj si dhe nënkryetarët Haris Ramoviq dhe Ivan Ivanaj. Kryeministri u shpreh i kënaqur me punën e deritanishme, duke e vlerësuar rëndësinë madhore që ka kjo rrugë ndërkombëtare. Ky aks rrugor lidh dhe ofron qytetarët nga komunat në veri të Malit të Zi, sidomos Plavës dhe Gucisë me Komunën e Tuzit dhe Kryeqytetin.Gjithashtu Markoviq vlerësoi kontributin e kryetarit Gjeloshaj në ndërtimin e institucionit të Komunës dhe bashkëpunimin e shkëlqyer institucional me qeverinë.Kryetari i Komunës së Tuzit Nik Gjeloshaj ka theksuar që përveç rëndësisë së lidhjes së komunave, kjo rrugë zbulon bukuritë dhe atraksionin e lumit Cem, duke u dhënë mundësi banorëve vendas që të zhvillojnë turizmin.Poashtu, Gjeloshaj veçoi angazhimin e kryeministrit Markoviq për realizimin e Komunës së Tuzit, dhe përkrahjes financiare që ka bërë qeveria e udhëhequr nga ai. Njëkohësisht u dakorduan për modelin e realizimit të mjeteve me vlerë 400 mijë euro për punimin e rrugës Delaj- Poprat. Gjeloshaj gjithashtu falënderoi kryeministrin për angazhimin që ka bërë  kohëve të fundit lidhur me realizimin e disa çështjeve procedurale të cilat ishin kërkesë e komunës.

SHARE