Shërbimi i Parlamentit të Malit të Zi ka bërë një rrugë të gjatë deri më tani, por unë jam i bindur se ai ka potencialin për përparim të mëtejshëm në mënyrë që t’i përgjigjet ritmit të vazhdueshëm të ndryshimeve dhe sfidave që janë vendosur para tij, tha kreu i parlamentit të Malit të Zi, Alleksa Beçiq. Me rastin e 31 Tetorit – Ditës së Parlamentarizmit, ai iu drejtua punonjësve dhe qytetarëve me një video mesazh për shkak të situatës gjithnjë e më komplekse epidemiologjike. Ai shprehet se tradita e parlamentarizmit, përmes formave të ndryshme, në Mal të Zi nuk është e parëndësishme, as e shkurtër. “Funksioni përfaqësues i Parlamentit të Malit të Zi sugjeron përqendrimin e tij te qytetari. Për atë arsye, pjesëmarrja e tij aktive është më se e dëshirueshme në jetën parlamentare. Ajo është përmirësuar nga publiciteti i veprimtarive të Parlamentit, hapja dhe mundësia e arritjes së tij,” tha Beçiq. Dëshmitarët më të mirë të pjekjes dhe krijimit të Parlamentit të Malit të Zi janë zyrtarët e tij, të cilët jetën e tyre të punës ia kanë kushtuar detyrës komplekse dhe kërkuese të vendosjes dhe forcimit të standardeve të punës parlamentare, bazuar në parimet e demokracisë.