Sot, anëtarët e Asamblesë së Kryeqytetit, me votat e shumicës qeverisëse, dhanë pëlqimin e tyre për Vendimin e Bordit të Drejtorëve të ndërmarrjes “Çistoqa”, për të rritur çmimin e mbledhjes së mbeturinave komunale dhe shërbimeve të transportit në Podgoricë me pesëdhjetë përqind, dhe për personat juridikë deri në 33 përqind. Përfaqësuesit e opozitës votuan kundër një vendimi të tillë, duke deklaruar se arsyeja kryesore e rritjes ishte punësimi irracional në atë kompani, dhe jo shpjegimi që ata dhanë, dhe se tani në mes të krizës pandemike dhe ekonomike të koronavirusit, nuk është koha që qytetarët dhe biznesmenët të jenë të ekspozuar ndaj kostove shtesë. Në lidhje me këtë, drejtori i SHPK “Komunale” Tuz, Nikollë Camaj, deklaroi se në momentin që “Çistoqa” e Podgoricës humbi resursin dhe të ardhurat nga Malësia, ajo i’u qasë një mënyre tjetër për mbushjen e buxhetit dhe qytetarëve të vet ua rriti faturat me 50%. “Të shikojmë tani, vetëm një komunë e re, pra komuna e Tuzit, e cila do të vazhdojë të punojë me çmimet e vjetra, se kush është përfitues. Janë përfitues qytetarët e Malësisë, për faktin se faturat do tu mbeten të njëjta edhe tutje, edhe pse mirëmbajtja vazhdon më në nivel se derisa faturat i’u paguan Podgoricës,” tha Camaj.