SULM “TERRORIST” NË VJENË

Ministri i Brendshëm në Austri, Karl Nehammer, ka thënë se sulmuesi i vrarë në Vjenë është një 20-vjeçar me shtetësi të dyfishtë, të Austrisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ai në të kaluarën ishte dënuar për përfshirje në një organizatë terroriste, ka thënë ministri, raportojnë agjencitë, AP dhe DPA, duke u thirrur në një intervistë të ministrit dhënë për agjencinë e lajmeve APA. Ai tha se terroristi i dyshuar ishte dënuar në prill të vitit 2019, për shkak se kishte tentuar që të udhëtonte për në Siri me qëllim që t’i bashkohej grupit militant Shteti Islamik. Ai ishte dënuar me 22 muaj burgim, por ishte liruar me kusht në dhjetorin e vitit të kaluar. Policia austriake po kërkon për të paktën një të dyshuar pas një sulmi të shumëfishtë me armë në kryeqytetin, Vjenë, që la të vrarë pesë persona, përfshirë një sulmues. Shtatëmbëdhjetë njerëz të tjerë janë plagosur – disa rëndë – pasi persona të armatosur hapën zjarr në gjashtë vende të ndryshme në qendër të qytetit të hënën në mbrëmje. Më herët, ministri i Brendshëm, Karl Nehammer, e përshkroi sulmuesin e vrarë nga policia si një “terrorist islamik”. Dy nga viktimat që vdiqën gjatë sulmit, ishin gra dhe dy ishin burra. Njëra nga gratë thuhet se ishte kameriere. Gruaja e dytë vdiq nga plagët e saj në spital brenda natës, thanë raportet. Viktimat ishin në një zonë të qendrës së qytetit të zënë me njerëz në bare dhe restorante, afër sinagogës qendrore të Vjenës, por nuk është ende e qartë nëse ajo ishte shënjestra e sulmit. Shtatë nga të plagosurit kanë plagë të rrezikshme për jetën, raportojnë mediat austriake. Sulmi ka ndodhur disa orë para se Austria të nisë së zbatuari kufizimet e reja në lëvizje, me qëllim të frenimit të koronavirusit. Për këtë arsye, shume njerëz janë parë në qendër të Vjenës, nëpër bare dhe restorante, të cilat do të mbyllen deri në fund të muajit nëntor.

SHARE