GJUKANOVIQ THOTË SE PARTIA E TIJ ËSHTË E GATSHME TË SHKOJË DHE TË LUFTOJË NË OPOZITË

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, tha se Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) është e gatshme të jetë partia më e fortë e opozitës dhe se, si president, ai do t’i përmbahet kompetencave të tij kushtetuese kur bëhet fjalë për qeverinë e re. Në një intervistë për televizionin austriak ORF, ai tha se partia e tij pranoi rezultatet paraprake të zgjedhjeve dhe se nuk presin që ato përfundimtare të jenë të ndryshme. “Formimi i qeverisë, siç e dini, është një punë që nuk ka filluar ende. Ne do të shohim nëse ky koalicion me tre anëtarë, i cili fitoi 41 vende, mund të arrijë vërtet një nivel të tillë afërsie të programeve dhe politike për të formuar një qeveri dhe për të marrë përsipër përgjegjësinë e pushtetit ekzekutiv në Malin e Zi”, tha ai. Gjukanoviç tha se sot “siç mund ta shohim, projekti kombëtar i Serbisë së Madhe është ringjallur”. “Ky projekt pretendon t’i sigurojë Serbisë disa kompensime për humbjen e Kosovës dhe natyrisht që Mali i Zi është synimi i parë i nacionalizmit serb. Supozoj se të gjithë e kuptojmë këtë, askush nuk është i painformuar”, tha ai. Të dielën në Mal të Zi u mbajtën zgjedhjet parlamentare, në të cilat, për herë të parë pas tri dekadash, Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit Millo Gjukanoviq ka humbur. Zgjedhjet u fituan nga partitë opozitare që konsiderohen si pro-serbe dhe pro-ruse.

SHARE