Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës po shënon një tjetër përshkallëzim, me sulme ndaj infrastrukturës strategjike në të dyja vendet.
Sipas kryetarit të Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, raketat ruse kanë dëmtuar dy ura mbi lumin Dnieper, duke shkaktuar ndërprerje të furnizimit me ujë, energji elektrike dhe ngrohje në disa zona të kryeqytetit.
Dëme janë raportuar edhe në disa linja të metrosë.
Ndërkohë, Ukraina ka sulmuar për të dytën ditë radhazi urën e Kerçit, që lidh Rusinë me Krimenë.
Pas sulmit, trafiku në urë është pezulluar, ndërsa autoritetet e vendosura nga Moska raportuan se dy persona kanë humbur jetën.
Ura e Kerçit, e inauguruar në vitin 2018 nga presidenti rus Vladimir Putin, ka rëndësi strategjike për Moskën dhe është goditur disa herë që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës.
Sulmet ndodhin në kohën kur zyrtarë amerikanë, ukrainas dhe evropianë po zhvillojnë negociata diplomatike për t’i dhënë fund luftës.








