SPAJIQ: MALI I ZI SYNON TË MBYLLË NEGOCIATAT ME BE-në BRENDA VITIT, ANËTARËSIMI NË HORIZONT

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, deklaroi se vendi synon të mbyllë të gjithë kapitujt e mbetur të negociatave me Bashkimin Evropian deri në fund të këtij viti, ndërsa vitin e ardhshëm të nënshkruajë Traktatin e Anëtarësimit.

Ai i bëri këto komente në Forumin Ekonomik të Vjenës, ku iu dorëzua çmimi vjetor “Vendi Partner i Vitit 2026”.

Spajiq e cilësoi këtë objektiv ambicioz, por të arritshëm, duke theksuar se Mali i Zi gjithmonë i ka takuar Evropës, jo vetëm gjeografikisht, por edhe përmes vlerave që ndan me të.

Duke folur për zhvillimin ekonomik, ai tha se ekonomia e vendit është trefishuar në vlerë nominale gjatë dy dekadave të fundit, ndërsa papunësia ka rënë në nivelin më të ulët historik, nën 8 për qind.

Sipas tij, paga mesatare është pothuajse dyfishuar në pesë vitet e fundit dhe tashmë kalon 1.000 euro, ndërsa borxhi publik është ulur me më shumë se 40 pikë përqindjeje të PBB-së që nga viti 2020.

Si prioritete për zhvillimin e mëtejshëm, Spajiq veçoi investimet në infrastrukturë, turizëm, energjetikë, teknologji informative dhe bujqësi organike.

Ai vlerësoi gjithashtu se reformat tatimore përmes programeve “Evropa Tani” kanë ndikuar në rritjen e pagave dhe përmirësimin e klimës së biznesit.

Sa i përket integrimit evropian, kryeministri rikujtoi se Mali i Zi ka mbyllur 23 kapituj negociues, ndërsa shprehu pritshmërinë për përparim të mëtejshëm gjatë kësaj jave.

Ai theksoi se prioritet mbetet forcimi i sundimit të ligjit, institucioneve të pavarura dhe zbatimi i standardeve evropiane, me synimin që përfitimet e zhvillimit ekonomik të ndihen nga të gjitha familjet në vend.

SHARE