KUVENDI MIRATON PROJEKTAMENDEMENTET KUSHTETUESE PËR VERIFIKIMIN E INTEGRITETIT TË KANDIDATËVE PËR QEVERI

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Kuvendi i Malit të Zi ka mbështetur projektamendamentet 23 dhe 24 të Kushtetutës, të cilat parashikojnë verifikimin e integritetit të kandidatëve për kryeministër dhe anëtarë të Qeverisë.

Në votim morën pjesë 54 deputetë, të cilët votuan pro, pa asnjë votë kundër apo abstenim.

Ndryshimet parashikojnë që kandidatët t’i nënshtrohen kontrollit për të identifikuar rrezikun e konfliktit të interesit. Personat që refuzojnë verifikimin ose nuk eliminojnë konfliktin e konstatuar nuk mund të propozohen për kryeministër apo ministër.

Gjithashtu, personat e dënuar me vendim të formës së prerë për vepra penale që përmbajnë elemente korrupsioni nuk mund të zgjidhen në këto funksione.

Një tjetër ndryshim parashikon që ligjet për sistemin zgjedhor, të drejtat pronësore të të huajve dhe integritetin e kandidatëve për Qeveri të miratohen me shumicë prej dy të tretash të të gjithë deputetëve.

Kryetarja e Komisionit Kushtetues, Jellena Bozhoviq, tha se pas miratimit të projektamendamenteve do të nisë debati publik, ndërsa theksoi rëndësinë e tyre për mbylljen e Kapitullit 23 në negociatat me Bashkimin Evropian.

Gjatë debatit pati edhe përplasje politike lidhur me interpretimin e kritereve të integritetit dhe çështje të tjera, përfshirë përfaqësimin e komuniteteve pakicë në sistemin zgjedhor.

Pas përfundimit të debatit publik, Komisioni Kushtetues do të shqyrtojë propozimet dhe sugjerimet e paraqitura dhe do të hartojë tekstin përfundimtar të amendamenteve, i cili do t’i dërgohet Kuvendit për miratim. 

SHARE