Foto: R. Radonjić
Parashikimi për rritjen ekonomike të Malit të Zi në vitin 2026 është rritur nga 3.1 në 4 për qind, ndërsa rebalancimi i buxhetit parashikon më shumë mjete për shëndetësinë, pensionet, arsimin dhe sektorë të tjerë.
Kështu deklaroi ministri i Financave, Novica Vukoviq, gjatë prezantimit të ndryshimeve të propozuara në buxhet para Komisionit parlamentar për Ekonomi, Financa dhe Buxhet.
Sipas Vukoviqit, rishikimi i parashikimit bazohet në treguesit pozitivë ekonomikë. Gjatë nëntë muajve të parë të vitit, numri i turistëve është rritur me 10.3 për qind, ndërsa numri i netqëndrimeve me 9 për qind.
Paga mesatare neto arrin në 1.033 euro, ndërsa pensioni mesatar në 577 euro. Me rebalancimin, Fondit të Sigurimit Shëndetësor do t’i ndahen 25.01 milionë euro shtesë, Fondit të Pensioneve 6.98 milionë euro, ndërsa Ministrisë së Arsimit 8.37 milionë euro.
Enti i Punësimit do të përfitojë 20.8 milionë euro shtesë, ndërsa 37.43 milionë euro janë parashikuar për Ministrinë e Financave.
Ministri bëri të ditur gjithashtu se të hyrat tatimore janë rritur me 35.9 milionë euro, ndërsa të hyrat nga TVSH-ja janë 7.3 për qind më të larta krahasuar me periudhën përkatëse.
Ndryshimet në buxhet u kritikuan nga deputeti i PDS-së, Mihaillo Angjushiq, i cili vlerësoi se rebalancimi është pasojë e planifikimit të dobët financiar.
Ai tha se mungojnë fondet për pagesën e kompensimeve të njëhershme për pensionistët, si dhe për detyrimet në shëndetësi, arsim dhe mbrojtje sociale.
Angjushiq paralajmëroi edhe rritjen e kostove të huamarrjes, duke theksuar se vetëm interesat e kredive do t’u kushtojnë qytetarëve rreth 80 milionë euro.
Mbledhja e Komisionit u ndërpre pas prezantimit të ministrit, për shkak të fillimit të seancës së Kuvendit të Malit të Zi.










