Qindra mijëra përdorues në mbarë botën raportuan probleme me Outlook, Teams, Copilot dhe shërbime të tjera të Microsoft 365, pas një ndërprerjeje globale që nisi të enjten.
Problemet u shfaqën fillimisht në SHBA dhe vazhduan të premten edhe në rajonin e Azi-Paqësorit.
Microsoft njoftoi se shërbimet ishin rikthyer pjesërisht, ndërsa po punonte për normalizimin e plotë të tyre.
Sipas kompanisë, shkaku lidhet me daljen jashtë funksionit të disa serverëve, duke bërë që serverët e mbetur të përballonin ngarkesë më të madhe.
Kjo shkaktoi mbingarkesë dhe ndërprerje të funksionimit të tyre.
Microsoft bëri të ditur se kishte rritur kapacitetin e serverëve, kishte riorientuar trafikun dhe kishte ristartuar sistemet e prekura.
Kompania po analizon ende shkakun e saktë të problemit.
Ndërkohë, Microsoft theksoi se deri më tani nuk ka të dhëna që ndërprerja të jetë shkaktuar nga ndonjë sulm kibernetik.
Ndër shërbimet më të prekura ishte Exchange Online, që menaxhon postën elektronike dhe kalendarët.
Në kulmin e ndërprerjes, platforma Downdetector regjistroi mbi 130 mijë raportime për probleme me Outlook vetëm në SHBA.
Sipas Reuters, ndërprerja preku edhe institucione shtetërore, ndërsa probleme u raportuan edhe me mjetet që lidhin ChatGPT dhe Claude me Microsoft 365.









