MALI I ZI ZGJERON PRIORITETET KUNDËR KRIMIT TË ORGANIZUAR, NË FOKUS EDHE PASTRIMI I PARAVE

Foto: Zyra e Zëvendëskryeministrit për Sigurinë, Mbrojtjen, Luftimin e Krimit dhe Politikën e Brendshme / Kabinet potpredsjednika Vlade za bezbjednost, odbranu, borbu protiv kriminala i unutrašnju politiku

Byroja për Koordinimin Operativ të organeve të sektorit të inteligjencës dhe sigurisë, e drejtuar nga Alleksa Beçiq, ka përcaktuar listën e re me dhjetë prioritete kombëtare në luftën kundër krimit të rëndë dhe të organizuar.

Listës i janë shtuar dy fusha të reja: veprimtaria hibride, si dhe pastrimi i parave dhe veprat penale tatimore.

Në mbledhje është miratuar edhe versioni publik i vlerësimit SOCTA 2026, dokument strategjik që identifikon kërcënimet kryesore të sigurisë dhe përcakton drejtimet e veprimit kundër krimit të organizuar.

Byroja për Koordinimin Operativ ka bërë të ditur se gjatë vitit të kaluar janë bllokuar rreth dy milionë metra katrorë pasuri, si dhe rreth 70 milionë euro në llogari bankare.

Ndërkohë, Prokuroria Speciale ka paraqitur disa kërkesa për konfiskimin e përhershëm të pronave me vlerë miliona euro, me sipërfaqe totale mbi 80 mijë metra katrorë.

Në mbledhje është vlerësuar gjithashtu se Mali i Zi ka shënuar përparim të rëndësishëm në kapitujt 23 dhe 24 të negociatave me Bashkimin Evropian, të cilët lidhen me sundimin e ligjit, drejtësinë dhe sigurinë.

Byroja për Koordinimin Operativ ka theksuar edhe rëndësinë e koordinimit të institucioneve të sigurisë, luftës kundër korrupsionit dhe krimit kibernetik, si dhe forcimit të kapaciteteve përmes teknologjive të reja dhe sistemit të mbikëqyrjes me kamera në qytete.

SHARE