Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, paralajmëroi nga samiti i BE-së në Dublin se diskutimi i kërkesave të Moskës para ndalimit të luftimeve në Ukrainë do të ishte një kurth, që do të largonte vëmendjen nga lufta.
Deklarata vjen pas takimit të të dërguarve amerikanë me presidentin rus, Vladimir Putin.
Përfaqësuesit e Uashingtonit thanë se Evropa do të përfshihet në negociatat e ardhshme, por Kremlini bëri të ditur se ende nuk është marrë një vendim për këtë çështje.
Moska kërkon që negociatat të përfshijnë edhe rishikimin e marrëveshjeve të sigurisë në Evropë, përfshirë kërkesat që lidhen me NATO-n, gjë që ka shkaktuar shqetësim te aleatët evropianë.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi se pjesëmarrja e Evropës në negociata është e domosdoshme për mbrojtjen e interesave të saj dhe për mbështetjen e Ukrainës.
Ndërkohë, brenda BE-së kanë nisur diskutimet se kush duhet ta përfaqësojë Evropën në bisedimet me Rusinë.
Disa vende mbështesin një përfaqësim të përbashkët nga Britania, Franca, Gjermania dhe institucionet evropiane, ndërsa të tjera kërkojnë një përfaqësues të vetëm.
Kallas e përmendi edhe veten si kandidate të mundshme për këtë rol, duke theksuar se Rusia nuk mund të vendosë se kush do ta përfaqësojë Evropën.
Sipas saj, Moska nuk dëshiron të përballet me një negociator të fortë, pasi synon të paraqesë kërkesat e saj maksimale në negociatat për përfundimin e luftës.









