SULMET RUSE NË UKRAINË, NJË E VDEKUR DHE PESË TË PLAGOSUR NË KIEV

Ushtria ruse njoftoi të enjten se gjatë natës ka kryer një sulm masiv ndaj objekteve ushtarake në disa pjesë të Ukrainës, përfshirë Kievin, ku një dron rus goditi një ndërtesë banimi.

Një dëshmitar i agjencisë Reuters raportoi se në orët e para të së enjtes janë dëgjuar shpërthime në kryeqytetin ukrainas.

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, bëri të ditur se një grua ka humbur jetën dhe pesë persona të tjerë janë plagosur pasi një dron rus goditi një ndërtesë nëntëkatëshe në lagjen Solomyanskyi, duke shkaktuar zjarr.

Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se gjatë sulmit janë goditur një fabrikë raketash në Kiev, një repart për montimin e dronëve dhe një fabrikë për prodhimin e karburantit të raketave në rajonin e Kievit, si dhe disa nënstacione elektrike në rajonin e Zhytomyr-it.

Ndërkohë, një zyrtar lokal ukrainas njoftoi në platformën Telegram se sulmet ruse kanë dëmtuar edhe infrastrukturën energjetike dhe atë civile në rajonin e Rivne-s.

Në anën tjetër, kryetari i bashkisë së Moskës, Sergei Sobyanin, njoftoi se mbrojtja ajrore ruse ka rrëzuar pesë dronë ukrainas që po i afroheshin kryeqytetit.

Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, gjatë natës në territorin e Rusisë janë rrëzuar gjithsej 71 dronë ukrainas.

Sulmet ndodhën menjëherë pas takimeve në Abu Dhabi mes përfaqësuesve të Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, ku u zhvilluan bisedimet e para për paqe pas një periudhe të gjatë.

Ndërkohë, situata energjetike në Ukrainë mbetet kritike për shkak të sulmeve të vazhdueshme ndaj rrjetit elektrik, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë në shumë zona.

Gjendja është veçanërisht e vështirë për qytetarët për shkak të rënies së ndjeshme të temperaturave.

SHARE