Foto: bankar.me
Mundësia e rritjes së çmimit të energjisë elektrike në Mal të Zi ekziston, por çdo vendim i mundshëm do të paraprihet nga analiza të detajuara dhe një qasje e planifikuar, deklaroi drejtori ekzekutiv i Elektroekonomisë së Malit të Zi, Nikolla Mazhgal.
Ai theksoi se në gjendjen financiare të kompanisë do të ndikojë edhe euro modeli i paralajmëruar , i cili hyn në fuqi më 1 janar.
Për këtë arsye, EEMZ do të analizojë të gjithë faktorët përkatës përpara se të vendosë për ndryshime të mundshme të çmimit të energjisë elektrike.
Mazhgal siguroi se qytetarët nuk do të përballen papritur me çmime të reja, duke nënvizuar se çdo vendim do të merret në mënyrë graduale, të qëndrueshme dhe në konsultim me qytetarët.
Sipas tij, zhvillimi i kapaciteteve të reja të energjisë diellore dhe të erës, si dhe garantimi i funksionimit afatgjatë të Termocentralit, do të kontribuojnë në stabilitetin e prodhimit dhe do t’i mundësojnë kompanisë kontroll më të madh mbi çmimin e energjisë.
Ai paralajmëroi se nëse EEMZ do të mbështetej plotësisht në çmimet e bursës dhe tregut, qytetarët do të përballeshin me rritje shumë më të mëdha.
Si shembull, Mazhgalpërmendi se kompania e blen energjinë elektrike në treg edhe me çmim prej 300 eurosh për megavat-orë, ndërsa ua shet qytetarëve me rreth 45 euro.
Megjithëse nuk e përjashtoi mundësinë e shtrenjtimit, Mazhgal vlerësoi se çdo ndryshim eventual nuk duhet të ketë ndikim të ndjeshëm në faturat e energjisë elektrike për qytetarët.










