Foto: Shutterstock
Mali i Zi nga nesër, më 10 nëntor, do të marrë për herë të parë kryesimin e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, për një periudhë gjashtëmujore, deri më 12 maj 2027.
Me këtë rast, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ervin Ibrahimoviq, do të marrë pjesë sot dhe nesër në takimin e Komitetit të Ministrave në Strasburg, ku do të prezantojë prioritetet e kryesimit malazez.
Mali i Zi këtë detyrë do ta marrë nga Monako, ndërsa kryesimi do të përmbyllet në maj të vitit 2027 me mbajtjen e një takimi ministror në Mal të Zi, ku pritet të marrin pjesë rreth 60 delegacione.
Ministria e Punëve të Jashtme theksoi se ky kryesim paraqet një mundësi të rëndësishme për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Malit të Zi dhe dëshmimin e përkushtimit ndaj demokracisë, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.
Kryesimi do të mbështetet në tri vlera kryesore: dialogun, solidaritetin dhe qëndrueshmërinë. Mali i Zi është anëtar i plotë i Këshillit të Evropës që nga 11 maji 2007.
Organizata, e themeluar në vitin 1949, përbëhet nga 46 shtete anëtare.
Komiteti i Ministrave është organi kryesor vendimmarrës i saj dhe mbikëqyr, ndër të tjera, zbatimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.










