MF: RIBALANCIMI I BUXHETIT SIGURON GATI 13 MILIONË EURO NDIHMË PËR PENSIONISTËT

Foto: Ilustrim

Ministria e Financave e Malit të Zi ka propozuar ribalancimin e buxhetit për vitin 2026, përmes të cilit janë siguruar pothuajse 13 milionë euro për ndihmë të njëhershme për pensionistët.

Sipas Ministrisë, ekonomia e Malit të Zi po shënon rezultate më të mira se parashikimet fillestare.

Rritja ekonomike për këtë vit është rishikuar nga 3.1 në 4 për qind, ndërsa të hyrat buxhetore për nëntë muajt e parë kanë arritur në 2.32 miliardë euro, apo 10.3 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Përmes rishikimit të buxhetit, 25 milionë euro shtesë do të ndahen për sistemin shëndetësor, me fokus në terapitë moderne dhe trajtimin e pacientëve me sëmundje të rralla.

Gjithashtu, mbi 21 milionë euro janë paraparë për subvencionimin e punëdhënësve që punësojnë persona me aftësi të kufizuara.

Mjete shtesë do të ndahen edhe për arsimin, kompensimet për të moshuarit, si dhe për projekte infrastrukturore, bujqësore, energjetike dhe të digjitalizimit.

Ministria e Financave thekson se rishikimi i buxhetit synon shpërndarjen e përgjegjshme të mjeteve publike dhe mbështetjen e kategorive dhe sektorëve me rëndësi të veçantë për qytetarët.

SHARE