Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministri i Administratës Publike i Malit të Zi, Marash Dukaj, është takuar me ministrin e Drejtësisë së Shqipërisë, Toni Gogu, me të cilin ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit dypalësh, integrimin evropian, reformën e administratës publike dhe transformimin digjital.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Administratës Publike, të dy zyrtarët konfirmuan përkushtimin e Malit të Zi dhe Shqipërisë ndaj synimit të përbashkët evropian, duke theksuar rëndësinë e reformave të vazhdueshme, sundimit të ligjit dhe modernizimit të institucioneve.
Vëmendje e veçantë iu kushtua mundësive për intensifikimin e bashkëpunimit në reformën e administratës publike, përmes shkëmbimit të njohurive, përvojave dhe praktikave të mira.
Dukaj prezantoi prioritetet e ministrisë që drejton, duke veçuar përmirësimin e shërbimeve publike, digjitalizimin dhe forcimin e kapaciteteve institucionale në fushën e sigurisë së informacionit dhe sigurisë kibernetike.
Ai vlerësoi se përvoja e Shqipërisë në zhvillimin e qeverisjes elektronike dhe digjitalizimit mund të ndihmojë Malin e Zi në modernizimin e administratës publike.
Nga ana tjetër, ministri shqiptar Toni Gogu shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të ofruar mbështetje profesionale dhe për të ndarë përvojat në fushën e reformave administrative.
Në fund të takimit, të dy ministrat u pajtuan për forcimin e mëtejshëm të partneritetit përmes programeve dhe projekteve konkrete, në funksion të integrimit evropian dhe stabilitetit rajonal.










